• Hyrje
  • @HYRJA
  • Artikuj te Ndryshem
  • KATEKUMENI
  • MP3
  • Studimet e Grave
  • Studimi "Atributet e Perendise"

KATEKUMENI

Gazeta Dishepullizuese e “Kisha e Reformuar Durres”

Feeds:
Postime
Komente

Pasuria dhe varfëria – J. C. Ryle

Janar 31, 2008 nga katekumeni

 

j-c-ryle Por atje ishte një njeri i pasur, që vishej me të purpurta dhe me rroba të çmueshme prej liri dhe për ditë e kalonte shkëlqyeshëm.  Atje ishte edhe një lypës, i quajtur Llazar, që rrinte para derës së tij, dhe trupin e kishte plot me plagë të pezmatuara, dhe dëshironte të ngopej me thërrimet që binin nga tryeza e pasanikut; madje edhe qentë vinin e ia lëpinin plagët.  Por ndodhi që lypësi vdiq dhe engjëjt e çuan në gji të Abrahamit; vdiq edhe pasaniku dhe e varrosën.  Dhe, duke pasur mundime në ferr, i çoi sytë dhe pa nga larg Abrahamin dhe Llazarin në gji të tij. – Lluka 16:19-23.

Shumë lexues të Biblës janë familjarizuar me shëmbëlltyrën e pasanikut dhe Llazarit. Është e paharrueshme. Kjo histori përshkruhet aq qartë sa që na duket sikur jemi të pranishëm në të. Por është tjetër gjë të admirosh këtë histori, dhe tjetër gjë të mësosh aplikimin shpirtëror. Me mijëra njerëz e dinë përmendësh këtë shëmbëlltyrë por kurrë mendojnë sesi aplikohet në jetën e tyre. Ju kërkoj të konsideroni mësimet më të rëndësishme të kësaj shëmbëlltyre. Unë do konsideroj vetëm citimin e mësipërm. Fryma e Shenjtë i vulostë këto të vërteta në shpirtrat tanë!

1. Perëndia lejon situata të ndryshme për njerëz të ndryshëm

Çfarë kontrasti që ka midis dy njerëzve në shëmbëlltyrë! Zoti Jezus na tregon për një pasanik dhe një të varfër. Njëri ka shumë të mira nga kjo botë; tjetri nuk ka asgjë. Të dy janë pasardhës të Adamit; të dy i përkasin familjes njerëzore; të dy jetojnë në të njëjtin vend nën të njëjtën qeveri. Por sa të ndryshme janë kushtet e tyre!

Duhet të tregohemi të kujdesshëm se mos mësojmë nga shëmbëlltyra gjëra që s’janë për mësim. Të pasurit nuk janë të gjithë njerëz të këqij, dhe jo çdo i pasur do shkojë në ferr. Gjithashtu, jo të gjithë të varfërit janë njerëz të mirë, dhe jo të gjithë do shkojnë në parajsë. Nuk është mëkat as të jesh i pasur e as të jesh i varfër. Zoti Jezus nuk lavdëron apo qorton kushtet e asnjërit prej tyre. Ai vetëm po përshkruan gjërat siç zakonisht janë në botë, e që ne duhet të presim se do të jenë.

Do ishte tepër e mirëpritur nëse u mësojmë njerëzve se të gjithë njerëzit duhet te jenë të barabartë, por për aq kohë sa kjo botë nuk e ndryshon gjendjen e saj, kjo gjë s’do ndodhë kurrë. Për aq kohë sa ka disa të mençur e disa budallenj, disa të fortë e disa të dobët, disa të shëndoshë e disa të sëmurë, disa tepër punëtorë e disa dembela, të gjitha këto së bashku me faktorë të tjerë, bëjnë që të ketë gjithmonë disa të pasur e disa të varfër. Gjersa mëkati të flaket tutje nga bota, dhe zemrat e njerëzve të bëhen të reja e të shenjta, nuk do ketë kurrë lumturi dhe barazi universale. Asnjë qeveri, edukim, apo politikë nuk do mund ta bëjë një gjë të tillë.

Kjo nuk do të thotë që s’duhet të ndihmojmë të varfërit apo të ndryshojmë gjërat. Por duhet të kuptojmë që deri kur Zoti Jezus të vijë përsëri, do ketë gjithmonë të pasur dhe të varfër në botë.

2. Pozicioni i një njeriu në botë nuk është provë për pozicionin e tij shpirtëror

Shumë njerëz do e quanin pozicionin e njeriut të pasur, tepër ideal. Me sa duket ai paskish pasur çdo gjë që zemra e tij dëshironte. Por e vërteta është se ai pasanik ishte jashtëzakonisht i varfër. Kur gjërat e mira të kësaj jete iu morën, ai nuk kish asgjë ç’të merrte me vete në botën tjetër. Ai kishte pasuri në tokë, por asnjë thesar në qiell. Ai kishte rroba të bukura, por jo veshjen e drejtësisë. Kishtë miq në tokë, por asnjë Mik apo Avokat në të djathë të Perëndisë. Ai kurrë nuk hëngri nga buka e jetës, dhe kur la shtëpinë e mrekullueshme prapa, nuk kishte shtëpi për të në parajsë. “Pasuria” e tij nuk ishte pasuri e vërtetë, sepse ai ishte pa Krishtin, pa besim, pa falje e shenjtëri. Kur ai vdiq ai vajti në ferr, në të vertetë ishte tepër i varfër.

Nga ana tjetër, Llazari nuk kishte asgjë nga kjo botë. është tepër e vështirë të imagjinohet një situatë kaq e varfër – dhe e mjerë. Por në të vërtetë, Llazari ishte i pasur. Ai ishte fëmijë i Perëndisë, me trashëgimi në qiell. Pasuria e tij ishte e përjetshme dhe e vërtetë. Ai kishte veshjen më të bukur – drejtësinë e Krishtit. Kishte mikun më të mirë – vetë Perëndinë. Përsa i përket ushqimit, ai ushqehej me bukën e jetës. Këto gjëra i kishte përgjithmonë – në vdekje dhe në jetë. Llazari nuk ishte i varfër, por në të vërtetë ishte i pasur.

Siç e shikoni pra, ne duhet t’i masim njerëzit sipas standardit të Perëndisë, dhe jo sipas standardeve të kësaj bote. Një lypsar i kthyer në besim është më i nderuar në sytë e Perëndisë sesa një President apo Kryeminister i pakthyer. Një njeri mund të jetë i madh dhe i admiruar për një farë kohe, por më pas të përjetojë errësirën dhë mjerimin e përjetshëm. Dikush tjetër mund të jetë i injoruar në këtë jetë, por ai kalon përjetësinë në lavdi me Krishtin. Pasuria dhe lavdia e botës nuk janë provë e favorit të Perëndisë. Shpesh këto janë kurth dhe pengesë për shpirtin e njeriut, duke e nxitur të dojë botën dhe të harrojë Perëndinë. Varfëria dhe sprovat nuk janë provë e zemërimit të Perëndisë. Shpesh këto janë bekime të maskuara, të dërguara në dashuri dhe mençuri për të ‘zvjerdhur’ njeriun nga bota dhe për ta mësuar atë të vendosë zemrën në gjërat qiellore. Dërgohen për t’i treguar mëkatarit zemrën e tij dhe për të bërë popullin e Perëndisë të frytshëm në vepra të mira.

Një nga sekretet e mëdha të lumturisë në këtë jetë është të paturit e një shpirti të kënaqur. Kërko çdo ditë të kuptosh që kjo jetë nuk është vendi i shpërblimit. Kur dita e gjykimit do të vijë që të gjitha do të drejtohen. Vetëm atëherë do bëhet qartë se ç’ndryshim të madh ka midis atyre që i shërbejnë dhe që nuk i shërbejnë Perëndisë.

2. I pasuri dhe i varfëri, të dy përfundojnë në varr

Ndonëse janë kaq të ndryshëm në jetë, si Llazari ashtu dhe pasaniku kanë të njëjtin fat. Të dy vdesin. Ky është fati i çdo njeriu, dhe fati yt, vetëm nëse Zoti Jezus nuk do kthehet përpara në lavdi. Vdekja është një armik i madh që askush s’mund ta mposhtë. Nuk kursen askënd, e nuk respekton askënd. Nuk pret për ty kur të jesh gati . Vjen në orën e caktuar nga Perëndia.

I gjithë njerëzimi e di këtë fakt, por shumica prej tyre nuk e quan realitet. Nëse do bënin një gjë të tillë, do vepronin sipas tij. Ç’budallallëk është të vësh zemrën në këtë botë që po vdes dhe në ngushëllimet e shkurtra të saj, dhe të humbasësh jetë të përjetshme!

3. Shpirti i një besimtari është tepër i çmuar në sytë e Perëndisë

Sa i çmuar është shpirti i një besimtari në sytë e Perëndisë! Pasaniku vdiq dhe u varros. Ndoshta kishte një varrim të mrekullueshëm, por gjëja tjetër që lexojmë është se ai ishte nën torturën e përjetshme. Llazari padyshim nuk kishte një varrim të shkëlqyer, por u mor nga engjëjt në një vend pushimi në gji të Abrahamit. Kjo pjesë e shëmbëlltyrës na ndihmon që ta kuptojmë marrëdhënien midis besimtarëve dhe Perëndisë Atit të tyre. Ai tregon kujdesin që Mbreti i mbretërve u jep dishepujve më të vegjël dhe të ulët të Krishtit.

Askush nuk ka miq dhe ndihmues sa një besimtar. Engjëjt gëzojnë kur ai lind sërish, e mbrojnë në botë, kujdesen për shpirtin e tij pas vdekjes dhe e shpien të sigurt në shtëpi. Ndonëse ai mund ta konsiderojë veten të keq e të ulët, por ja për besimtarin më të ulët dhe më të varfër kujdeset vetë Ati i tij në qiell, me një kujdesje që zor se mund ta kuptojmë. Zoti është bërë Bariu i tij, që atij të mos i mungojë asnjë gjë (Psalmi 23:1).

Kur një njeri pranon Krishtin me sinqeritet, ai ka të gjitha përfitimet e një beslidhjeje të sigurt dhe të vendosur. Të gjitha mëkatet i janë falur dhe zemra i është ripërtërirë. Krishti do durojë paditurinë e tij dhe do i mësojë të vërtetën. Krishti do jetë më të në çdo kohë. Asgjë s’do e lëndojë atë pa lejen e Perëndisë. Cilido që përndjek atë do përndjekë vetë Krishtin (Veprat 26:15). Të gjitha sprovat kontrollohen me urtësi; të gjitha gjërat bashkëveprojnë për të mirë të tij. Dhe kur puna e tij të jetë përfunduar, engjëjt e Perëndisë do e marrin në krahë e do e shpien me lavdi në shtëpinë e tij qiellore.

Lexues kristian, ju nuk jeni në dijeni të bollëkut të privilegjeve dhe zotërimeve. Mësoni si të jëtoni më shumë me anë të bësimit. Madje që tani, mësoni rreth thesarit të madh që ju pret në Krishtin.

4. Egoizmi është mëkat i rrezikshëm dhe shkatërrues për shpirtin

Së fundi, dua që të vëreni se sa i rrezikshëm dhe shkatërrues është mëkati i egoizmit. Nuk kishte asgjë mëkatare në jetën e jashtme të pasanikut. Ai nuk ishte vrasës, hajdut, kurorëshkelës apo gënjeshtar. Por ja që ai përfundoi në vendin e mundimit. Sigurisht që ka mësime që duhet të marrim prej kësaj.

1. Duhet të ruhemi nga rreziku i të jetuarit vetëm për veten. Nuk mjafton vetëm të themi, “Unë jetoj një jetë të rregullt, bëj detyrën time në çdo fushë të jetës”. Pyetja është, a jeni ju duke jetuar për veten apo për Krishtin? Cili është motivi dhe qëllimi yt në jetë? A ke mohuar jetën tënde dhe jeton vetëm për atë që vdiq për ty? (Shih tek 2 Korintasit 5:15.) Nëse je si pasaniku që jetonte vetëm për vete, atëherë jeni i humbur.

2. Duhet të ruhemi nga rreziku i të mos bërit atë që duhet të bëjmë. Pasaniku nuk vajti në ferr për çfarë ai bëri, por për çfarë ai nuk bëri. Ai thjesht e la Llazarin tek dera. Në ditën e gjykimit Krishti do u thotë shumë njerëzve, Pata uri dhe nuk më dhatë për të ngrënë, pata etje dhe nuk më dhatë për të pirë; isha i huaj nuk më pritët…. (Mateu 25:42,43)

3. Duhet të mësojmë që pasuritë sjellin me vete rreziqe të veçanta. Shumë njerëz kalojnë jetën në kërkim të pasurisë, por pasuritë sjellin një rrezik të madh shpirtëror. Ato kanë tendencë ta ngurtësojnë shpirtin, t’ua mbyllin sytë punëve të besimit dhe të na ndihmojnë ta harrojmë Perëndinë. Jezusi thotë: Sa vështirë është për ata që kanë pasuri të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë! (Mark 10:23)

Duhet të ruhemi sidomos nga egoizmi, në këto ditë të fundit. Në ditët e fundit do të vijnë kohë të vështira, sepse njerëzit do jenë egoistë, lakmues parash (2 Timoteu 3:1,2) Shumë njerëz të pasur nuk japin aspak, ose shumë pak nga pasuria e tyre e madhe. Por Bibla thotë shumë gjëra kundër egoizmit dhe dashurisë për paranë. Lexo shëmbëlltyrën që Jezusi tregoi rreth pasanikut budalla që kishte shumë pasuri por “nuk ishte i pasur përpara syve të Perëndisë” tek Lluka 12:16-21.

A ke para? Atëherë kini kujdes dhe ruhuni nga kopracia (Lluka 12:15). Pa dyshim që ju mund të shpëtoheni, sepse Abrahami, Jobi dhe Davidi ishin njerëz të pasur. Por mendo rreth rrezikut tuaj. Mbaj mend që paraja është një shërbëtor i mirë por një padron i keq.

A ke pak para, ose aspak? Mos i ki zili ato që janë më të pasur se ty. Ki mëshirë për ta e lutu për ta, e mos u nxito t’i gjykosh. Ndoshta vetë ti nuk do të bëje më mirë. Mbaj mend që është dashuria për paranë e cila është burimi i çdo lloji të keqe, e që mund ta duash paranë edhe pa e patur atë. Mos mendoni se duke qenë të varfër jeni të shpëtuar. Llazari nuk shkoi në parajsë sepse ishte i varfër, por sepse ai kishte Krishtin.

A dëshiron të dish ilaçin për egoizmin? S’është asgjë tjetër veç njohurisë së vërtetë të dashurisë së Krishtit. Duhet të dini situatën tuaj mëkatare, përjetoni fuqinë e gjakut të Krishtit që të shëron, shijoni paqen me Perëndinë përmes Krishtit dhe ndieni dashurinë e Perëndisë në zemrën tuaj. Më pas, pasi të dini sesa borxhli jeni ndaj Krishtit, do kuptoni që asgjë nuk është tepër e madhe për ta dhënë për të. Egoizmi mund të fshihet nga natyra e mirë, dashuria për lëvdatat, ose idetë e gabura për vetë-mohimin. Por vetëm dashuria e Krishtit do e ndryshojë dhe do ju udhëheqë të jetoni e të punoni për të.

Përfundimi

Më lejoni ta mbyll me tri fjalë praktike.

1. Ju nxis të analizoni veten. Çfarë po bëni? Ku po shkoni? Ku do përfundoni pas vdekjes? Këto janë pyetje serioze, lutem që Fryma e Shenjtë t’i udhëheqë shumë njerëz t’i bëjnë këto pyetje!

2. I ftoj të gjithë ata që duan të shpëtohen të shkojnë menjëherë tek Jezus Krishti. Kërkoni Zotin ndërsa mund të gjendet (Isaia 55:6). Ai pranon mëkatarët (Lluka 15:2). Një ditë do jetë tepër vonë, ashtu siç zbuloi ai njeriu i pasur.

3. U bëj thirrje kristianëve të japin me gjithë zemër në çdo projekt bamirësie dhe mëshire. Nuk mund t’i ruani paratë për gjithmonë, dhe një ditë do jepni llogari se çfarë keni bërë me to. Nuk them që duhet të jepni gjithçka që keni, apo të neglizhoni punën dhe familjen. Ne duhet të punojmë shumë e të sigurojmë për ata që varen nga ne. Duhet të mendojmë gjithmonë sesi të bëjmë sa më shumë të mirën me paratë tona në këtë jetë të shkurtër. A mund të shpenzojmë më pak për veten tonë e më shumë për të tjerët? Mbani mend se shpirtërisht ishim si Llazari. Shtriheshim të sëmurë, të pashpresë e të uritur përpara dyerve të parajsës gjersa Jezusi erdhi e na shpëtoi. Ai bëri të mirën, dhe vdiq në kryq të na shpëtojë. Le të bëhemi si ai e t’u bëjmë të mirën të tjerëve.

Postuar në Katekzma e Shkurter Westminster | No Comments Yet

  • Faqe

    • @HYRJA
    • Artikuj te Ndryshem
    • KATEKUMENI
    • MP3
    • Studimet e Grave
    • Studimi "Atributet e Perendise"
  • Arkiva

    • Prill 2008
    • Mars 2008
    • Shkurt 2008
    • Janar 2008

Blog at WordPress.com.

Theme: Mistylook by Sadish.